Vetëm 3  nga 4 ndeshje të planifikuara u luajtën të enjten në mbrëmje në NBA. Sfida midis Chicago dhe Miami u shty pas një vonese prej gati dy orësh për shkak të kondensimit në fushë, e cila kishte lagështi. Kjo erdhi për shkak se 24 orë më parë aty ishte luajtur një ndeshje hokeji (United Center është gjithashtu shtëpia e Chicago Blackhawks). Punëtorët u përpoqën ta thanin sipërfaqen duke përdorur fshesa dhe peshqirë, por pa sukses.

Në ndeshjet e tjera ndërkohë, Utah Jazz mposhti në sekondat e fundit 116-114 Dallas. Lauri Markkanen me 33 pikë ishte më i miri në fushë. Fiton edhe ekipi i Minnesota, që mundi 131-122 Cleveland, ndeshje ku katër lojtarë të skuadrës vendase realizuan mbi 20 pikë, me Randle që ishte më i miri në parket me 28 pikë. Ndërkohë për Cavaljers 30 pikët e Donovan Mitchell nuk mjaftuan për të shmangur humbjen. Ndërkohë në ndeshjen tjetër ekipi i Indiana Pacers, falë 30 pikëve e 14 rebound të Siakam, mundi 114-112 Charlotte.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb