Ndahet nga jeta mjeku i njohur, Dr. Memo Boçi. Njoftimi është dhënë përmes rrjeteve sociale nga një tjetër mjek, eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho. Ky i fundit shkruan se Dr. Memo drejtoi për 14 vjet sektorët e higjienës dhe epidemiologjisë në shkallë vendi.

“Duke vendosur t’i rikthehej praktikës së shëndetit publik, Dr. Memo u specializua në Paris për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS. Me kthimin në Shqipëri, me mbështetjen e OBSH ngriti Programin Kombëtar të HIV/AIDS të cilin e drejtoi deri sa doli në pension në vitin 2002.

Aty e kam njohur dhe kam punuar me Dr. Memon për 4 vjet, gjatë të cilëve kam mësuar jashtëzakonisht nga ky profesionist i shkëlqyer me aftësi të veçanta organizative dhe njohuri shkencore gjithmonë të update-uara”, shkruan Dasho.

Postimi nga Erion Dasho

In memoriam: Dr. Memo Boci (1939-2020)

Dje humbi jetën Dr. Memo Boci. Për brezin e ri të mjekëve dhe infermierëve, ndoshta një emër i panjohur, por për brezat e atyre që u arsimuan ose punuan si bluza të bardha para viteve ’90, një personalitet shumë i njohur dhe i vlerësuar.

Në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Memo drejtoi për 14 vjet sektorët e higjienës dhe epidemiologjisë në shkallë vendi. Ata që punuan me të gjatë atyre viteve, shprehen me superlativa për doktorin si drejtues modern dhe vizionar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: