KOSOVE– Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare aktivisti i shquar nga Kosova, Adem Demaçi. Lajmin për vdekjen e Demacit ka bërë të ditur nënkryetari i kuvendit të Kosovë Xhavit Haliti, gjatë seancës ku ishte duke u diskutuar për dialogun me Serbinë.
“Ka ndërruar jetë mësuesi jonë, njeriu që i dha 28 vjet të jetës së tij nëpër kazamatet serbe. Ai ka ndërruar jetë, por vepra e tij do të lartësohet e të kujtohet për sa të ketë jetë”- ka thënë Haliti.
Pasi është mbajtur një minutë heshtje në nderim të aktivistit të njohur, seanca e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë për të rinisur nesër.
Adem Demaçi u lind më 26 shkurt të vitit 1936. Ai është dënuar me njëzet e tetë vite burg në kohën e ish-Jugosllavisë dhe ka mbrojtur të drejtat dhe liritë e Kosovës. Demaçi ishte gazetar e shkrimtar, politikan e aktivist për të drejtat e njeriut.
(d.d/BalkanWeb)
