Xavi kërkon të revolucionarizojë futbollin. Trajneri i Barçës tregoi indinjatën e tij të shtunën e kaluar për humbjen e kohës në çdo ndeshje dhe planifikon të ndalojë orën sa herë që topi nuk është në lojë.

“Për mua është qesharake. Çfarë presim për të pasur kohë efektive? Në këtë mënyrë nuk do të na duhej të shikonim nëse shtohen tetë minuta ose 22. Mendoj se jemi i vetmi sport pa kohë efektive”, – deklaroi tekniku katalanas.

Kjo protestë vjen një ditë pas publikimit të të dhënave të javës së parë të La Liga-s, në të cilën janë luajtur mesatarisht 52 minuta e 31 sekonda lojë efektive. Domethënë, 38′ minuta humbasin mes protestave, vonesave në nxjerrjen e topit, kujdesit mjekësor, zëvendësimeve, VAR-it dhe futbollistëve që simulojnë.

Fundjavën që lamë pas ndeshja me më së shumti lojë reale ishte Almería-Real Madrid me 58 minuta, ndërsa me më pak lojë efektive ishte Betis-Elche, me 48 minuta.

Edhe pse është e vërtetë që mesatarja e minutazhit në dy sezonet e fundit është përmirësuar, liga spanjolle është ajo në të cilën topi rrokulliset më pak se në pesë ligat kryesore evropiane. Mesataren më të mirë të lojës efektive në Evropë e mban Premier League, që shkon afërsisht deri në 55 minuta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb