Tensione dhe slogane pro Palestinës shoqëruan mbrëmjen e parë gjysmëfinale të Eurovision Song Contest 2026, ku përfaqësuesi i Izrael, Noam Bettan, performoi këngën “Michelle”. Gjatë interpretimit të artistit 28-vjeçar në skenën e festivalit në Vjenë, nga publiku u dëgjuan thirrje kundër Izraelit, mes tyre slogani “Ndaloni gjenocidin”, ndërsa një pjesë tjetër e audiencës brohoriste emrin e këngëtarit në mbështetje të tij.

Sloganet u transmetuan edhe drejtpërdrejt në televizionin publik grek, ndërsa transmetuesi austriak ORF deklaroi se nuk do të ndërhynte për të heshtur reagimet e publikut ndaj konkurrentëve.

Sipas raportimeve, një protestues pro-palestinez u arrestua brenda arenës gjatë shfaqjes, megjithëse autoritetet nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi incidentin. Në një deklaratë pas përfundimit të spektaklit, European Broadcasting Union bëri të ditur se një person pranë mikrofonëve të audiencës kishte bërtitur vazhdimisht slogane politike si para hyrjes së Izraelit në skenë, ashtu edhe gjatë performancës. “Ai u largua më pas nga sigurimi për shkak se vazhdoi të shqetësonte publikun. Edhe tre persona të tjerë u larguan nga arena për të njëjtën arsye”, thuhej në deklaratën e organizatorëve.

Pavarësisht tensioneve, Izraeli arriti të kualifikohej për në finalen e madhe të Eurovisionit, së bashku me nëntë vende të tjera. Atmosfera e festivalit është dominuar edhe këtë vit nga debatet politike dhe reagimet ndaj operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza. Sipas raportimeve, pesë shtete kanë bojkotuar edicionin e sivjetshëm të konkursit, mes tyre edhe Irlandë, një nga vendet më të suksesshme në historinë e Eurovisionit me shtatë fitore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: