Në ambjentet e Universitetit të Arteve të Bukura u zhvilluan homazhe në nder të intelektualit, studiuesit dhe analistit të njohur Artur Zheji. Mes shumë personaliteteve të pranishëm, ishte edhe aktori i mirënjohur Timo Flloko, i cili ndau me të pranishmit kujtime të veçanta për figurën e Zhejit.
Në një fjalim prekës, Flloko e përshkroi Zhejin si “një personalitet i dimensioneve të jashtëzakonshme”, duke theksuar jo vetëm anën e tij si analist brilant në media, por mbi të gjitha si një artist i shpirtit dhe një erudit me dije të thella.
“Ishte personalitet i dimensioneve të jashtëzakonshme. Nuk flas në prerjen politike të çështjes, apo si një analist i jashtëzakonshëm në televizione e në media. Arturi ishte një artist i madh në shpirt, me një sensibilitet të padallueshëm, të dukshëm, por të thellë e të brendshëm. Një erudit i përmasave të mëdha. Unë i kam dhënë mësim, leksionet i përgatisja për të më shumë, sepse dijet e tij ishin të tilla sa dinte gjithçka. Ishte djali i Petro Zhejit, por Arturi ishte një bir i tij, kishte edhe një nënë të nderuar, një artiste të madhe. Kam pasur miqësi të afërt. Iku shumë shpejt”, tha Flloko.
Homazhet për Artur Zhejin mblodhën bashkë figura të njohura të artit, letrave dhe medias shqiptare, duke dëshmuar respektin dhe vlerësimin për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në jetën publike të vendit.
