Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar për ndarjen nga jeta të një prej figurave më të mëdha të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, duke e cilësuar atë si një personalitet të rrallë që i dha dinjitet artit dhe kulturës sonë kombëtare.
Në mesazhin e tij, ai e përshkruan Anagnostin si kineast, regjisor, skenarist dhe mendimtar të shquar, që la pas një vepër të ndritur me vlera universale, që do të vazhdojë të frymëzojë brez pas brezi.
Postimi i plotë:
Në panteonin e kulturës kombëtare dhe artit të kinemasë shqiptare, Artisti i Popullit, Dhimitër Anagnosti, do të mbetet përjetësisht i nderuar mes korifejve më të mëdhenj.
Kineast dhe regjisor i shquar, skenarist e mendimtar, ai na la trashëgim një vepër të ndritur, që do të vazhdojë të frymëzojë gjeneratat e ardhshme, duke u bërë metaforë emblematike e historisë së kinematografisë shqiptare dhe model frymëzues i një brezi krijuesish idealistë e patriotë.
Filmat e Anagnostit, edhe pse të krijuar në një kohë të caktuar historike, falë vizionit e talentit të tij të jashtëzakonshëm, mbeten vepra universale që përcjellin mesazhe të përjetshme dhe gjithmonë aktuale.
Me pikëllim të thellë u shpreh familjes dhe komunitetit të artistëve ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të këtij personaliteti të rrallë të artit dhe kulturës sonë kombëtare, i cili i dha emër e dinjitet kinemasë shqiptare dhe lartësoi identitetin tonë kulturor.
Trashëgimia e tij e vyer do të mbetet një monument i pavdekshëm në kujtesën e kombit.
Të prehet në paqe! I paharruar kujtimi!
