Parlamenti i Shqipërisë ka mbajtur një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit Anastas.

Kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali, në fjalën e saj deklaroi se Kryepeshkopi Anastas përgatiti dhe mbështeti brezat e rinj të klerikëve, për të vazhduar misionin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Ajo tha se me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, Anastasi kontribuoi në harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri, paqen dhe mirësinë mes popujve të rajonit dhe në botë.

Elisa Spiropali: Kryepeshkopi Anastas përgatiti dhe mbështeti brezat e rinj të klerikëve, për të vazhduar misionin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Me përkushtimin e tij të jashtëzakohshëm, Anastasi kontribuoi në harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri, paqen dhe mirësinë mes popujve të rajonit dhe në botë. Në emër të Kuvendit, i shprehim ngushëllime Kishës Ortodokse. Për të shprehur ngushëllime për kryepeshkopin, ju ftoj të mbani 1 minutë heshtje.

Fjala e plotë:

Në 25 janar u nda nga jeta Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos.

Kryepeshkopi Anastas, me vizionin, dijet dhe përdëllimin e tij, në kushte të mungesave e vështirësive shumë të mëdha, për më shumë se tre dekada, ringjalli, ringriti dhe rindërtoi Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë;

Mbështeti dhe frymëzoi besimtarët orthodhoksë me besimin te Zoti, me ndjenjat e dashurisë, respektit, tolerancës dhe solidaritetit.

Ideoi, përgatiti dhe mbështeti brezat e rinj të klerikëve orthodhoksë shqiptarë, me dijet, aftësitë, misionin dhe përkushtimin për të konsoliduar  Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Projektoi, mbështeti e promovoi institucionet arsimore, humanitare, shëndetësore e kulturore të cilat u kanë shërbyer dhe u shërbejnë të gjithë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht besimit dhe përkatësisë fetare.

Me përkushtimin  e tij të jashtëzakonshëm, Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri, në paqen dhe miqësinë mes popujve të rajonit e në botë.

Për shërbimin e Tij kishëtar e paqësor, Kryepeshkopi Anastas u respektua nga besmitarët, qytetarët dhe institucionet e të dy vendeve, të Greqisë si vendi ku lindi, dhe të Shqipërisë, si qytetar i vendit ku shërbeu deri në fund të misionit dhe jetës së tij.

Sot në Tiranë u krye shërbesa e përcjelljes së Kryepeshkopit Anastas.

Duke i shprehur, në emër të Kuvendit, ngushëllimet Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe besimtarëve orthodhoksë për këtë humbje të madhe, dhe si shenjë nderimi e mirënjohjeje për trashëgiminë e Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.

U prehtë në paqe e përjetësi!

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb