Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dhënë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të legjendës së KF Skënderbeut të Korçës, Milutin Kërçiç.

Meta thotë se Kërçiç ishte idhulli i shumë fëmijëve korçarë të viteve ’70-’80. Presidenti e vlerëson ish-futbollistin për korrektësinë në fushë, virtuoz me topin dhe i dalluar për teknikën e rrallë.

Ndër të tjera Presidenti shpreh hidhërimin për lajmin e sotëm dhe përcjell ngushëllimet për familjarët, kolegët e sportdashësit.

 

STATUSI NGA ILIR META

Mësova me hidhërim lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të një prej legjendave të “Skënderbeut” dhe futbollit shqiptar, Milutin Kërçiç, idhullin e shumë fëmijëve korçarë të viteve ’70-’80, të vlerësuar për talentin e tij të jashtëzakonshëm nga të gjithë sportdashësit dhe ne, që patëm fatin ta shihnim në fushën e blertë.

Model i lojtarit korrekt në fushë, virtuoz me topin dhe i dalluar për teknikën e rrallë, Milutin Kërçiç do kujtohet gjithmonë me respekt për kontributin e veçantë të dhënë për zhvillimin cilësor të futbollit shqiptar, shembull frymëzues për vlerat e veçanta sportive dhe qytetare, që përfaqësonte.

Ngushëllime të sinqerta familjarëve, kolegëve dhe të gjithëve sportdashësve për këtë humbje të pazëvendësueshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb