Regjisori i njohur shqiptar Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta pak ditë më parë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në artin dhe kinematografinë shqiptare.
Në një intervistë për emisionin “Kjo javë” në Neës 24, aktori Mevlan Shanaj e cilësoi Anagnostin si një figurë të madhe kombëtare dhe mjeshtër të ndërtimit të karaktereve. Shanaj tha se Anagnosti ishte tepër kërkues dhe korrekt, duke kërkuar gjithmonë maksimumin nga aktorët me të cilët punonte.
Ai u shpreh se regjisori e kishte të qartë psikologjinë e personazheve që krijonte, që në fazën e shkrimit të skenarit. Sipas Shanajt, dashuria mes Dhimitër dhe Roza Anagnostit lindi në mënyrë natyrale gjatë bashkëpunimeve artistike.
Aktori Mevlan Shanaj: Dhimitër Anagnosti ishte tepër kërkues. Nuk mund të bëje sikur me Anagnostin, me të duhet të ishe korrekt, në përpjekje për të dhënë maksimumin. Ishte njeri korrekt. Ai nuk ishte thjesht regjisor, ishte figurë e madhe kombëtare. Dhimitër Anagnosti ishte një civil e qytetar i përgatitur, por mbi të gjitha mjeshtër i ekranit. E kam njohur Dhimitër Anagnostin në vitin 1970. Ai i vizitonte karakteret, ka punuar me aktorët më të mirë në vend. Anagnosti ishte njeri i matur. Ishte njeri i vështirë, i “sertë”, nuk ishte person që të kishte qejf të hallakatej.
Ai ishte mjeshtër i ndërtimit të karaktereve. Dhimitër Anagonisti që kur shkruante tekstin, e kishte parasysh gjithë karakterin, psikologjinë e tij. E kini parasysh Kadri Roshin tek “Lulëkuqe mbi mure”, është karakter kompleks dhe në psikologji. Dhimitër Anagnosti donte që një karakter të dilte ashtu siç e mendonte ai. Ai e ka njohur bashkëshorten Roza Anagnosti, kur ajo luante për filmin “Toka jonë” dhe më pas e njohu më shumë tek filmi “Komisari i dritës”. Ishte dashuri që lindi nga perceptimet e tyre artistike, lindi në punë e sipër dashuria e tyre. Roza Anagnosti është kujdesur gjithmonë për bashkëshortin e saj, edhe gjatë kohëve të fundit, kur ai nuk ishte më në gjendje aq të mirë.
