Tensionet në rënie mes Kinës dhe Japonisë, dy ekonomive më të mëdha në Azi, kanë nisur të reflektohen fuqishëm në sektorin e turizmit. Sipas të dhënave të fundit, afro 500,000 bileta avioni nga Kina drejt Japonisë janë anuluar, pas këshillës së autoriteteve kineze për qytetarët që të shmangin udhëtimet në vendin fqinj.

Paralajmërimi i Pekinit erdhi pasi deklaratat e kryeministres japoneze Sanae Takaichi ndezën një përshkallëzim diplomatik. Ajo u shpreh se Japonia mund të ndërhynte ushtarakisht nëse Tajvani do të sulmohej, duke sfiduar ndjeshmëritë e Kinës, e cila e konsideron Tajvanin pjesë të pandashme të territorit të saj.

Sipas analistëve të industrisë së aviacionit, të cituar nga AFP, rezervimet për fluturime nga Kina drejt Japonisë pësuan rënie të menjëhershme: nga 1.5 milion më 15 nëntor, ato zbritën në 1 milion vetëm dy ditë më vonë. “Kjo është një rënie prej 33% në 48 orë, shumë më e lartë se rënia mesatare ditore prej 5% që kemi parë që nga viti 2023”, shpjegoi eksperti i aviacionit Li Hanming.

Tre linjat ajrore kryesore kineze ndërkohë kanë njoftuar rimbursime të plota për të gjitha fluturimet drejt Japonisë të rezervuara deri më 31 dhjetor, duke sinjalizuar se ndikimi ekonomik tashmë është duke u ndier. Turistët kinezë përbëjnë grupin më të madh të vizitorëve të huaj në Japoni, me 8.2 milion mbërritje nga janari deri në tetor – një rritje prej 40% krahasuar me vitin e kaluar. Vetëm gjatë tremujorit të tretë, ata shpenzuan mbi 1 miliard dollarë në muaj, duke përfaqësuar afro 30% të shpenzimeve totale të turizmit.

Efektet janë reflektuar menjëherë edhe në Bursën e Tokios, ku aksionet në sektorin e turizmit dhe kompanitë e mëdha të shitjes me pakicë kanë shënuar rënie të ndjeshme. Sipas transmetuesit publik NHK, një ulje e flukseve turistike kineze për një periudhë njëvjeçare mund t’i kushtojë ekonomisë japoneze të paktën 11.5 miliardë dollarë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb