Ish-presidenti kolumbian Álvaro Uribe fajtor për ndërhyrje te dëshmitarët. Uribe është bërë presidenti i parë i mëparshëm i Kolumbisë që dënohet për një krim. Një gjykatë në Bogotá e shpalli fajtor 73-vjeçarin, i cili shërbeu si president nga viti 2002 deri më 2010, për ndërhyrje te dëshmitarët dhe për mashtrim.

Ai u dënua për përpjekje për të korruptuar dëshmitarë në një hetim të ndarë mbi akuzat se kishte lidhje me grupet paramilitare të djathta, të cilat janë përgjegjëse për shkelje të të drejtave të njeriut.

Secila nga akuzat parashikon deri në 12 vite burg. Uribe pritet të apelojë vendimin, duke deklaruar gjithmonë pafajësinë e tij. Ai njihet më së shumti për ofensivën e ashpër kundër grupit guerilas të majtë, Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (Farc), gjatë kohës sa ishte në detyrë. Uribe ka mohuar gjithnjë lidhjet me grupet paramilitare të djathta.

Sipas agjencisë AFP, ish-presidenti qëndroi duke tundur kokën ndërsa u lexua vendimi, në një gjyq ku kanë dëshmuar mbi 90 dëshmitarë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka dënuar vendimin e gjykatës, duke akuzuar sistemin gjyqësor të Kolumbisë se është politizuar dhe është kthyer në mjet kundër kundërshtarëve. “I vetmi krim i ish-presidentit ka qenë se ka luftuar dhe mbrojtur vendin e tij pa u lodhur,” shkroi Rubio në rrjetin social X.

Vendimi vjen më shumë se një dekadë pasi Uribe u padit për herë të parë në vitin 2012. Në atë kohë, ai akuzoi një senator të majtë, Ivan Cepeda, për një komplot kundër tij. Uribe pretendoi se Cepeda donte ta lidhte atë në mënyrë të rreme me grupet paramilitare të djathta të përfshira në konfliktin e brendshëm të armatosur në Kolumbi. Por Gjykata e Lartë e vendit i hodhi poshtë pretendimet e ish-presidentit kundër Cepedës, dhe në vend të kësaj nisi hetime ndaj vetë Uribes për këto lidhje.

Ai u akuzua më pas se kishte kontaktuar ish-luftëtarë të burgosur dhe u kishte ofruar ryshfet që të mohonin lidhjet me grupet paramilitare – duke manipuluar dëshmitarët kyç. Uribe tha se kishte dashur vetëm t’i bindte ish-luftëtarët që të thoshin të vërtetën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: