Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka vendosur të anulojë vizitën e saj të planifikuar në Serbi, pas zhvillimeve që lidhen me kthimin në Beograd të trupit të ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç.

Trupi i Mlladiçit, i cili ndërroi jetë javën e kaluar, u transportua drejt Beogradit me një avion qeveritar serb. Në kryeqytetin serb pritet të zhvillohen homazhe në nderim të tij, një zhvillim që ka shkaktuar reagime të forta në Bruksel.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Kos e bëri të qartë se glorifikimi i Mlladiçit bie ndesh me parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian. Sipas saj, procesi i integrimit evropian të Serbisë nuk mund të ndahet nga përballja me të kaluarën dhe respekti ndaj viktimave të luftërave në ish-Jugosllavi.

“Ratko Mlladiç u shpall fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Kthimi i trupit të tij në Beograd rikthen në vëmendje një nga kapitujt më të errët të historisë së afërt të Evropës”, deklaroi Kos.

Ajo theksoi se rruga drejt anëtarësimit në BE kërkon njohjen e së kaluarës, pajtimin dhe respektimin e viktimave, duke nënvizuar se këto parime nuk mund të negociohen.

Në këtë situatë, komisionerja evropiane njoftoi se ka marrë vendimin për të mos e zhvilluar vizitën e parashikuar në Serbi në këtë moment.

Ratko Mlladiç, i cilësuar gjerësisht si “Kasapi i Bosnjës”, u dënua nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë konfliktit në Bosnje dhe Hercegovinë, në periudhën 1992-1995.

Ai vdiq në moshën 84-vjeçare në një qendër paraburgimi të Kombeve të Bashkuara në Hagë, ku vuante dënimin e përjetshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: