Dëshira e madhe e Juves në këtë merkato dimri është Kolo Muani, por negociatat për të rikthyer francezin në Torino po ndërlikohen ndërsa koha është në disfavor të “Zonjës së Vjetër” pasi merkato mbyllet me 2 shkurt. Në kushte të tilla, Juve nuk dëshiron të rrezikojë për këtë arsye sipas TuttoSport, drejtuesit e bardhezinjë i janë rikthyer edhe një herë pistës Zirkzee, me sulmuesin holandez që nuk bën pjesë në planet e Man.United.

Zirkzee është i qartë për këtë, për këtë arsye edhe ish futbollisti i Bologna po shtyn për një largim të shpejtë nga “Old Trafford” ndërsa ka dhënë pëlqimin e tij për një rikthim në Itali. Juve ka një marrëdhënie të shkëlqyer me agjentin e Zirkzee, i njëjti që përfaqëson edhe Douglas Luiz. Bëhet fjalë për një huazim të thatë deri në fund të sezonit.

Një tjetër çështje shumë e nxehtë në Torino është edhe e ardhmja e Weston McKennie. Amerikani po kalon një moment fantastik me Spallettin në stol, për këtë arsye drejtuesit e Juves nuk kanë ndërmend ta lënë të lirë edhe pse McKennie është futur në vitin që i përfundon kontrata.

Sipas La Gazzetta dello Sport, “Zonja e Vjetër” beson se shumë shpejt mund të gjejë një akord me mesfushorin për të rinovuar kontratën deri në 2028 ose 2029. Në kontratën e re parashikohet edhe një rritje e ndjeshme e pagës nga 3 në 4 deri në 4,5 milionë euro në sezon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb