Sot nga ora 11:00, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sërish për konstituimin e Kuvendit. Deputetët me 73 vota për kanë zgjedhur për kryetar të Kuvendit, Dimal Bashën.

Basha u zgjodh kryeparlamentar pas gjashtë muajve të ngërçit politik, gjersa i propozuari i LVV-së u votua edhe nga disa deputetë të PDK-së dhe AAK-së.

Më herët, LVV kishte propozuar edhe Albulena Haxhiun, Donika Gërvallen dhe Hekuran Muratin, por asnjëri nuk mori mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. ka ndërprerë seancën e Kuvendit në mungesë konsensusi për emrin e nënkryetarit serb.

Duke qenë se asnjëri prej kandidatëve të dalë nga shorti nuk i kanë siguruar votat e nevojshme, ai ka kërkuar ndërprerjen e punimeve, për t’u mbledhur sërish të enjten në orën 11:00.

Kryetari i Partisë Serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiç ka qenë propozimi i radhës për nënkryetar Kuvendi. Ai siguroi vota 55 pro, një kundër dhe 17 abstenime, duke mos u zgjedhur nënkryetar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb