Ka ndërron jetë sot në 22 shtator në moshën 82-vjeçare historiani dhe studiuesi i njohur shqiptar, prof. dr. Muharrem Dezhgiu.

Lajmi është bërë i ditur nga Instituti i Historisë, i cili ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të një prej studiuesve të tij të respektuar. Dezhgiu i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës studimit dhe dokumentimit të historisë kombëtare shqiptare.

Ai është autor dhe bashkautor i një sërë veprash të rëndësishme historike dhe akademike. Ndër botimet e tij janë studime mbi Shqipërinë gjatë pushtimeve italiane dhe gjermane, Luftën e Dytë Botërore dhe zhvillimet politike të periudhës pas vitit 1944.

Instituti i Historisë i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, duke vlerësuar kontributin e tij në historiografinë shqiptare.

Njoftimi i Institutit të Historisë

Të nderuar kolegë,

Me hidhërim të thellë njoftojmë se sot u nda nga jeta kolegu ynë i dashur dhe i respektuar, prof. dr. Muharrem Dezhgiu, studiues i njohur i Institutit të Historisë. 

Profesor Dezhgiu lindi në fshatin Guri i Bardhë, Mat, më 1 shtator 1944. Ai u angazhua me përkushtim për shkrimin e historisë sonë kombëtare dhe është autor i një sërë botimesh, si:

Veprimtaria e shtetit të ri të demokracisë popullore (maj-nëntor 1944),  Shqipëria në luftë (1939-1944), (studime dhe refleksione), Anastas Lula – disidenti i parë në PKSH, Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, (bashkautor), Shqipëria nën pushtimin italian (1939-1943), Shqipëria nën pushtimin gjerman (shtator 1943 – nëntor 1944).

Ai gjithashtu është ndër autorët kryesorë të botimit madhor të Institutit të Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, si dhe bashkautor në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

Kolegët e Institutit të Historisë i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij!

Vijon 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb