TIRANË – (Në përditësim) Është ndarë nga jeta mjeshtri i madh i humorit, i mirënjohuri Veli Rada. Ai vdiq në moshën 72-vjeçare për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Homazhet në nderim të tij u bënë sot në sallën e Teatrit të Metropolit në Tiranë në orën 13:00. Familjarë, të afërm, miq e kolegë e përcollën më pas drejt banesës së fundit aty ku do të prehet përgjithmonë.

FJALA NE CEREMONI E JORIDA TABAKUT
Përpara se ta përcillnin në banesën e fundit, ishin fjalët e deputetes së PD-së, Jorida Tabaku ato që prekën zemrat e të gjithëve. Ajo solli një portret të dashur e realist të aktorit, njeriut të sportit dhe demokratit, Veli Rada siç e cilësoi ajo.

“Do të donim të kujtonim Veliun ashtu si një vit më parë në gëzime. Sot fatkeqësisht jemi mbledhur për ta përshëndetur atë për herë të fundit. Në emër të kryetarit të Partisë Demokratike dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës z Lulzim Basha më lejoni të përcjell ngushëllimet më të sinqerta për z Rada, i cili për ne do të kujtohet gjithnjë me një buzëqeshje. Do të kujtohet gjithmonë ashtu siç ishte në skenë, i cili mbas 35 vitesh karriere, duke i provuar dhe bërë të gjitha detyrat për një artist, u vlerësua me dy çmime; ‘Mirënjohja e Tiranës’ dhe ‘Mjeshtër i Madh’. Këto çmime ai i meritonte shumë më herët në karrierën e tij. Ne do ta kujtojmë atë në shumë role që ka pasur, por do ta kujtojmë edhe si një demokrat i ditëve të para. Për të gjithë ne ai do të mbetet njeriu i qeshur. Për ju ai do të mbetet babai, familjari i devotshëm. Ai do të mbetet për të gjithë shqiptarët artisti që na solli shumë herë buzëqeshjen në skenë, por edhe për të gjithë sportdashësit ai që përcillte me shumë dashuri të gjitha emocionet e ekipeve të Tiranës. Shpresoj që sot të gjithë të gjejnë një moment për të nderuar kujtimin e tij, për të nderuar veprën e tij, dhe për ta përcjellë atë me dinjitet ashtu siç jetoi një jetë të tërë. I paharruar qoftë kujtimi i tij. U prehtë në paqe”

JETA E VELI RADES
Veli Rada ishte një aktor i shquar i humorit shqiptar dhe i nderuar dhe vlerësuar me shumë tituj.

Në vitin 2013 ai u nderua nga bashkia e Tiranës me titullin “Mirënjohja e kryeqytetit” si dhe nga Presidenti i Republikës “Mjeshtër i Madh”. Ka qënë kryebashkiaku Lulzim Basha që ka shprehur sot publikisht, dhimbjet dhe ngushëllimin për humbjet e aktorit.

Veli Rada njihet si aktor profesionist i Estradës së Tiranës, ku aderoi 35 vjet; njihet edhe si komentator sportiv. Ai ka studiuar në Institutin e Lartë të Arteve në vitet 1972-1975 në degën e aktrimit dhe menjëherë pas studimeve, u bë anëtar i Teatrit të Estradës së Tiranës, ku vazhdoi të punojë për 35 vjet. Ka realizuar qindra role, prej të cilëve shumë do të mbeten të paharruar; punoi si regjisor dhe asistent regjisor; si skenarist humori, realizoi një mori skeçesh, parodish, intermexosh.

NISHANI: HUMBJE E MADHE PËR HUMORIN SHQIPTAR
Presidenti Bujar Nishani ka shprehur sot ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të aktorit të humorit Veli Rada. Nishani është shprehur se ndarja nga jeta e Radës përbën një humbje të madhe për kulturën dhe humorin.
“Ky lajm, ashtu si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e humorit që ai krijoi, më ka prekur jashtëzakonisht thellë. E konsideroj vërtet një humbje të madhe për kulturën tonë shqiptare dhe veçanërisht për gjininë e humorit që Veliu ushtroi vazhdimisht në Shqipëri. E gjithë shoqëria shqiptare ndjen një dhimbje për këtë ndarje, sepse nuk do ta kenë më mes tyre për së gjalli në skenat e humorit dhe ekranet e televizorëve duke interpretuar skeçe dhe pjesë të tjera humoristike, nëpërmjet të cilave jo vetëm që i bënte njerëzit për të qeshur duke u falur momente argëtimi, por njëkohësisht stigmatizonte me mençuri mjaft plagë të shoqërisë shqiptare. Veli Rada do kujtohet përherë, se e vuri jetën e tij të thjeshtë në shërbim të humorit dhe të transmetimit të sportit të bukur të futbollit shqiptar, duke mbetur një qytetar i mirë, sportdashës shembullor dhe aktor vullnetplotë dhe optimist. Veli Rada që në hapat e para të debutimit në Estradën e Tiranës para katër dekadash arriti të spikasë si një nga talentet më premtuese në fushën e aktrimit të trupës së saj. Me kalimin e viteve dhe sidomos me ardhjen e pluralizmit dhe masivizimin e humorit, do të ishin vitet e demokracisë ato që do e bënin atë një personalitet të arenës mbarëkombëtare shqiptare, me interpretimet tij virtuoze në sallat e shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, etj. ku fitoi simpatinë e gjerë të krejt publikut artdashës të të gjitha trojeve shqiptare. Në rreth 40 vite ai na ka dhuruar një fond rolesh aktoreske që do mbeten përjetësisht në kujtesën tonë. Duke ndarë në këto çaste me ju dhimbjen time më të thellë për ikjen e këtij artisti, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të afërmin tuaj që do mbetet përherë i paharruar”, u shpreh Nishani.

MESAZHI I KRYETARIT TE BASHKISE SE TIRANES, LULZIM BASHA

“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të “Mjeshtrit të Madh” Veli Rada. Artisti, komentatori, demokrati, tiranasi që mbante titullin “Mirënjohja e Tiranës”, kurrë nuk reshti së dhuruari kurajo dhe optimizëm te njerëzit që e rrethonin. Ngushëllime familjes, miqve e admiruesve të tij të panumërt. Të paharrueshme kujtimi dhe vepra e tij! U prehtë në paqe!” shkruan Basha në Fb.

(ma.ar/ar.sh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb