Para takimit ndaj Flamurtarit, tekniku i Egnatias, Edlir Tetova u shpreh se ekipi i tij do tentojë vetëm suksesin në këtë ndeshje.

Përballja me Flamurtarin – “Është një ndeshje e fortë, Flamurtari kërkon pikë me çdo kusht. Ne sigurisht që jemi në një pozicion komod, por kërkojmë vazhdimësi sepse vijmë nga tre rezultate jo të mira”.

Jeni në një fazë ku Egnatia po kërkon vazhdimësi rezultatesh. A është kjo ndeshje si detyrim për fitoren?

“E thashë edhe më parë që vijmë nga tri ndeshje me rezultate jo të mira. Nuk është një detyrim, ajo që mendoj për futbollin është vazhdimësia e lojës. Në çdo ndeshje kemi bërë lojëra të bukura, pavarësisht se nuk kemi marrë rezultat. Vazhdimësia e lojës është ajo që unë dua më tepër”.

Flamurtari ka ndryshuar fytyrë në disa ndeshje, në merkaton e dimrit është përforcuar sërish, çfarë rreziku paraqet për Egnatian kjo transfertë?

“Siç e kemi ndjekur, kanë bërë lëvizje, skuadra e Flamurtarit është forcuar. Kujtoj dhe ndeshjen që bëmë në Rrogozhinë, sigurisht që ka një fytyrë tjetër, por kjo nuk do të thotë gjë për atë që synojmë ne”.

Sa e vështirë është të ruash ekuilibrin mes presionit për rezultat pozitiv dhe lojës së bukur që preferoni ju si trajner?

“Fare. Përderisa kemi një filozofi loje, krijojmë, bëjmë futboll, kjo pjesë do të jetë një ngërç i momentit”.

Egnatia konfirmohet si një skuadër me identitet, çfarë e dallon këtë grup nga sezonet e kaluara?

“Kemi prurje, kemi largime. Sigurisht që nuk mund të bëjmë krahasime nga sezoni në sezon se jemi me diferenca pikësh, por loja është e njëjtë. Mendoj që këtë vit skuadra ka ardhur aty ku unë dëshiroj, mendoj që të kemi një vazhdimësi në rrjedhën e lojës”.

Si e mendoni konkurencën brenda ekipit me blerjet e janarit dhe sa ju ndihmon në zgjedhjet taktike?

“Zgjedhje taktike kemi patur mjaftueshëm, kemi bërë rotacion mjaftueshëm. Sigurisht që zgjedhjet kanë qenë, përderisa lojtarët kanë minutazhin në këmbë, për mua është shumë e thjeshë për të zgjedhur. Nuk është se prurjet e janarit do krijojnë diferenca shumë të mëdhaja, loja ka një identitet, mjafton vetëm shpejtësia e veprimit”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb