Në “Craven Cottage” u zhvillua një nga ndeshjet më spektakolare të këtij sezoni në Premier League, ku Manchester City triumfoi me rezultatin dramatik 5-4 ndaj Fulham-it, në javën e 14-të të kampionatit.

“Qytetarët” e nisën fuqishëm sfidën. Erling Haaland zhbllokoi rezultatin në minutën e 17-të, duke hyrë në histori si lojtari që arrin më shpejt kuotën e 100 golave në Premier League. Norvegjezi, që numëron tashmë 15 gola këtë sezon, u kthye në asistues në minutën e 37-të për Reijnders, i cili dyfishoi shifrat. Para përfundimit të pjesës së parë, Phil Foden realizoi një gol të bukur për 0-3, ndërsa Fulham reagoi me Smith Rowe, duke mbyllur fraksionin e parë 1-3.

Pjesa e dytë nisi sërish me ritëm të lartë nga City. Foden shënoi golin e tij të dytë në minutën e 48-të pas një tjetër asisti nga Haaland, ndërsa autogoli i Berge çoi miqtë në 1-5. Kur ndeshja dukej e mbyllur, Fulham u rikthye fuqishëm: Iwobi realizoi një supergol në minutën e 57-të, ndërsa Chukwueze shënoi dy herë, në minutat 72 dhe 78, duke e çuar rezultatin në 4-5 dhe duke ndezur emocionet deri në fund. Megjithatë “qytetarët” mbrojnë me fantazëm avantazhin minimal. Një sfidë e çmendur, me Cityn që rrezikoi ta dilte pa 3 pikë, pavarësisht se kryesonte 1-5 në nisje të pjesës së dytë.

“A u dëfryet?” ishte batuta plotë buzëqeshje dhe çliruese në fund të takimit e teknikut Pep Guardiola, që shkaktoi të qeshura në sallën e konferencës për shtyp. Manchester City merr tre pikë të arta nga transferta londineze ndaj Fulham dhe shkon në kuotën e 28 pikëve duke rritur presionin ndaj Arsenalit kryesues.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: