Një grua 28-vjeçare dhe partneri i saj, po ashtu 28 vjeç, janë arrestuar në Japoni nën dyshimin për braktisjen e djalit të tyre 8-vjeçar në një zonë malore të qytetit Mishima, në prefekturën Shizuoka Prefecture.

Sipas raportimit të TV Asahi, çifti akuzohet se ka komplotuar për ta lënë fëmijën në mal rreth orës 14:00 të së dielës. Policia nuk ka bërë të ditur nëse të dy e kanë pranuar akuzën, por mediat lokale raportojnë se burri ka deklaruar se veprimin e kreu “për ta ndëshkuar fëmijën”. Burime nga hetimi bëjnë me dije se prindërit kishin vendosur ta braktisnin përkohësisht djalin si formë ndëshkimi, pasi ai nuk i kishte dëgjuar dhe nuk kishte zbatuar udhëzimet e tyre.

Rreth një orë pasi ishte lënë në mal, 8-vjeçari arriti të kërkonte ndihmë në një kamp aty pranë. Një punonjës i kampit njoftoi autoritetet, duke raportuar se një fëmijë ndodhej nën kujdesin e tyre. Ndërkohë, nëna dhe partneri i saj ishin kthyer në vendin ku e kishin lënë djalin, por pasi nuk e gjetën, kontaktuan policinë. Ata u arrestuan më vonë gjatë së dielës, pasi u konfirmua se fëmija ishte i sigurt.

Sipas autoriteteve, djali nuk ka pësuar lëndime fizike. Distanca nga vendi ku u braktis deri te kampi ishte rreth një kilometër. Personat që e ndihmuan thanë se ai dukej i shqetësuar në momentin kur u gjet. Policia ka nisur hetimet për të verifikuar nëse fëmija ka qenë subjekt i abuzimit edhe në ambientin familjar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: