Një banesë është përfshirë nga flakët në lagjen “Donika Kastrioti” në Berat. Zjarri është shkaktuar aksidentalisht nga dy fëmijët e shtëpisë që duke luajtur, kanë ndezur një zjarr në katin e dytë të banesës.
Flakët janë përhapur me shpejtësi drejt mobileve dhe tavanit të mbuluar me dërrasa, duke përfshirë gjithë dhomën dhe një pjesë tjetër të shtëpisë. Zjarri i favorizuar nga era, ka rrezikuar edhe përhapjes drejt banesave pasi zona në të cilën ra zjarri është një lagje me shtëpi shumë pranë njëra-tjetrës. Krenar Gjata me bashkëshorten dhe dy fëmijët kanë dalë nga banesa pa lëndime dhe kanë njoftuar zjarrëfikësen.
Me gjithë ndërhyrjen në kohë të punonjësve të shpëtimit nga zjarri, të cilët e patën shumë të vështirë futjen me mjete në rrugicat e ngushta të lagjes, zjarri shkrumboi thuajse gjysmën e banesës së familjes Gjata. Tashmë flakët e zjarrit janë lokalizuar totalisht por dëmet e shkaktuara në banesë janë të mëdha.
(BalkanWeb)
