Nga: VALENTINA MADANI

TIRANE- Pas presionit të medias dhe opozitës së djathtë, mazhoranca ka bërë një kthim mbrapsht, duke u tërhequr nga neni 13 i projektligjit të SPAK dhe neni 6 i projektligjit për prokurorinë, që rikthente censurën në media dhe parashikonte burg për gazetarët që mund të ushtrojnë influencë ndaj prokurorëve për çështje të caktuara.

Në bazë të variantit final të dakordësuar mes shoqatave të gazetarëve me kryetarin socialist të Komisionit të Posaçëm parlamentar të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj hiqet termi ndalim apo dënim, duke garantuar me ligj pavarësinë në marrjen e vendimeve nga prokurorët, pavarësisht çdo ndikimi. Xhafaj zhvilloi dje një takim me organizata joqeveritare të fokusuara në lirinë e medias. Takimi erdhi pas shqetësimit të ngritur lidhur me nenin 13, pika 3 e projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, si dhe të nenit 6, pika 3 të projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

Në nenin 13 të ligjit të SPAK, thuhej se: “Çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj”. Ndërsa në nenin 6 të ligjit për prokurorinë thuhej që “Çdo lloj ndikimi i papërshtatshëm mbi punën e prokurorëve dhe veprimtarinë e tyre në çështje konkrete, i ushtruar përmes autoritetit publik, mjeteve të informacionit apo me çdo lloj mjeti tjetër apo personave të tjerë, që cënon pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e detyrës së tyre, është i ndaluar dhe dënohet sipas ligjit”. Tashmë këto dy nene bien.

Sipas formulimit të ri të tyre është parashikuar të sanksionohet se “Ligji garanton pavarësinë dhe autonominë e nevojshme për marrjen e vendimeve gjatë ushtrimit nga prokurorët të funksionit të tyre kushtetues e ligjorë, pavarësisht ndikimit të paligjshëm të brendshëm apo të jashtëm nga çdo autoritet publik a privat”. Edhe drejtuesi i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa konfirmoi dje se ky variant do të jetë i njëjtë në të dy nenet e ligjeve përkatëse në nenin 13 të SPAK dhe në nenin 6 pika 3 e ligjit për prokurorinë. Ligji garanton pavarësinë dhe autonominë e nevojshme për marrjen e vendimeve gjatë ushtrimit të funksionit të tyre kushtetues e ligjor nga prokurorët, pavarësisht ndikimit të paligjshëm të brendshëm apo të jashtëm nga çdo autoritet publik a privat.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb