Një 69-vjeçar në Wisconsin, SHBA, vendosi të shmangte makinën dhe të shkonte për të bërë pazar me mjetin e tij më të pazakontë të transportit: një helikopter personal.
Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 18:00 me orën lokale, pranë dyqanit Cabela’s në qytetin Richfield. Policia mbërriti në vendngjarje pas një telefonate nga një qytetar, i cili raportoi se në parkingun e dyqanit ishte ulur një helikopter.
Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Washington, piloti, banor i Rosendale, u shpjegoi autoriteteve se kishte zgjedhur të fluturonte drejt dyqanit, pasi udhëtimi me rrugë tokësore ishte “shumë i gjatë”.
Distanca mes Rosendale dhe Richfield është rreth 50 milje, një rrugë që zakonisht përshkohet në afërsisht një orë me makinë.
Autoritetet sqaruan se 69-vjeçari nuk u përball me asnjë masë ndëshkuese, pasi kishte licencë të vlefshme piloti, kishte kryer një ulje të sigurt dhe kishte respektuar rregullat e përcaktuara nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA).
Në një reagim në rrjetet sociale, Zyra e Sherifit e cilësoi ngjarjen si një “mënyrë origjinale” për të bërë pazarin, duke bërë edhe një batutë se piloti kishte arritur të shmangte trafikun dhe semaforët pranë dyqanit.
Ngjarja shkaktoi habi te banorët vendas, pasi nuk është një pamje e zakonshme që një helikopter të ulet në parkingun e një dyqani për një blerje të përditshme.
