KRETË

Një rast i rrallë, i denjë për filma aventureskë ka ndodhur në Greqi, pasi një 48-vjeçar është penduar për një grabitje që ka bërë 25 vjet më parë në një bankë.

Rasti kishte ndodhur në një bankë në Kretë, ndërsa tashmë autori ka kthyer paratë që kishte vjedhur. BBC grek shkruan se burri, në atë kohë student, kishte grabitur nga arka e bankës shumën prej 450 000 dhrami.

Tashmë, burri ka kërkuar që shuma e vjedhur që shkon në 1330 euro, të mund të kthehet në destinacionin që i takon.

Mediat, raportojnë se 48-vjeçari përshkroi në detaje se si e kreu grabitjen, duke pretenduar se ishte i vetëm. Ai i dha arkëtarit një shënim në të cilin deklaroi se mbante një pistoletë dhe nën këtë kërcënim, ai arriti të nxirrte paratë. Motivi i grabitjes ishte për shkak të bixhozit.

Çështja tani do të sillet para drejtësisë pasi dëshmia dhe ajo që përshkruan 48-vjeçari do t’i dërgohet Autoritetit të Prokurorisë kompetente për veprime të mëtejshme. Sa i përket parave që ai i dorëzoi Departamentit të Policisë, ato do të depozitohen në Fondin e Depozitave dhe Kredive.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: