MOSKË- Teknologjia mund të kapërcejë kufijtë. I tillë është dhe rasti në fjalë, pasi autoritetet ruse kanë vendosur të instalojnë internet me valë pikërisht në varrezat e Moskës. Sipas mediave vendase, Wi-Fi falas do të ofrohet në tri varrezat historike të qytetit duke nisur nga fillimi i vitit 2016.
Sipas zyrtarëve, kjo nismë sa e çuditshme, por dhe e ‘guximshme’ do të nxisë më shumë vizitorë të shkojnë tek varrezat Vagankovo, Troyekurovo dhe Novodevichy, ku prehen shumë njerëz të famshëm, si autori Anton Chekhov, lideri sovjetik Nikita Khrushchev dhe presidenti i parë rus Boris Yeltsin. Mendohet se duke pasur internet, vizitorët do të kenë mundësi të marrin më shumë informacione mbi këta persona të famshëm.
“Këto varreza janë si muze në qiell të hapur. Njerëzit vijnë shpesh këtu dhe duan të dinë më shumë rreth njerëzve që prehen në varreza” –deklaroi për AFP Lilya Lvovskaya, zëdhënësja e kompanisë që ka marrë përsipër këtë projekt. Ndërkohë, ky projekt pritet të zbatohet edhe në 133 varreza të tjera të qytetit.
(ed.me/BalkanWeb)
