Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë thirrje për rikthimin e bazës ajrore strategjike të Bagramit në Afganistan, duke paralajmëruar pasoja, nëse kjo kërkesë nuk merret seriozisht nga autoritetet në Kabul. Deklarata e tij, e bërë përmes rrjetit social Truth Social të shtunën, pason refuzimin e qeverisë së drejtuar nga talebanët për t’ia kthyer SHBA-së kontrollin e kësaj baze, e cila ndodhet rreth 64 km nga kryeqyteti afgan, Kabul.

“Nëse Afganistani nuk ia kthen bazën Bagram atyre që e ndërtuan – Shteteve të Bashkuara të Amerikës – DO TË KETË PASOJA!”, shkroi Trump, duke nënvizuar rëndësinë gjeopolitike të objektit ushtarak. Baza ajrore e Bagramit ka qenë për gati dy dekada pika kryesore e operacioneve ushtarake amerikane në Afganistan, veçanërisht pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Ajo ka luajtur një rol kyç në luftën kundër terrorizmit dhe ka shërbyer si qendër logjistike dhe operacionale për forcat amerikane dhe të NATO-s.

Gjatë një vizite në Mbretërinë e Bashkuar këtë javë, Trump konfirmoi për herë të parë publikisht se janë duke u bërë përpjekje për të rikuperuar kontrollin e Bagramit. “Po përpiqemi ta marrim përsëri. Ky mund të jetë një lajm i rëndësishëm. Ata kanë nevojë për disa gjëra nga ne, dhe kjo është një mundësi për t’i vendosur gjërat në vendin e tyre,” tha ai gjatë një konference shtypi me Kryeministrin britanik Keir Starmer.

Ndërkohë, zyrtarët talebanë kanë shprehur hezitim për praninë e mundshme të forcave të huaja në vend. Megjithatë, Trump ka theksuar se qëllimi i tij nuk është konfrontimi, por sigurimi i interesave të SHBA-së në një zonë strategjike pranë kufirit me Kinën. Ai ka qenë kritik ndaj mënyrës se si u menaxhua tërheqja nga Afganistani në vitin 2021 dhe humbja e bazës, të cilën e sheh si një dështim të rëndë të administratës Biden.

Kur u pyet nëse do të angazhojë forca për të rikthyer kontrollin e bazës, Trump u tregua i rezervuar: “Nuk do të flas për këtë tani. Por po them këtë – duam ta kemi përsëri. Dhe nëse nuk e marrim, do të mësoni shumë shpejt se çfarë do të bëjmë.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: