Laureatja e Çmimit Nobel për Paqen për vitin 2026, Navi Pillay, reagoi me humor pasi mësoi për vlerësimin e saj, duke bërë shaka se mund ta ndante çmimin me presidentin amerikan Donald Trump. “Nëse duartrokisni pak më fort, ndoshta do ta ndaj çmimin me Trumpin”, tha Pillay, teksa merrte pjesë në një simpozium ndërkombëtar të së drejtës në Nuremberg të Gjermanisë. Ajo u prit me duartrokitje nga pjesëmarrësit, pasi u bë publik lajmi për çmimin. “Por, si avokate dhe gjyqtare, duhet të konfirmoj se kjo është vërtet e vërtetë”, shtoi ajo duke qeshur.

Reagimi i saj u filmua nga sekretarja e përgjithshme e Amnesty International, Agnès Callamard, e cila e publikoi videon në rrjetin social X. Në reagimin e saj, Pillay kujtoi gjithashtu punën e fundit në fushën e të drejtave të njeriut, duke iu referuar raportit për situatën në Rripin e Gazës. “Gjëja e fundit që bëra ishte paraqitja e raportit mbi Gazën, në të cilin e përshkruaj atë që po ndodh atje si gjenocid”, u shpreh ajo.

Komiteti Norvegjez i Nobelit e vlerësoi Pillay për kontributin në forcimin e së drejtës ndërkombëtare dhe përpjekjet që krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi të hetohen e të ndiqen penalisht. Sipas Komitetit, ajo ka treguar guxim dhe integritet të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut, në një kohë kur konfliktet dhe luftërat po vënë në provë institucionet ndërkombëtare.

Kush është Navi Pillay?
Navanethem “Navi” Pillay, 85 vjeçe, është juriste nga Afrika e Jugut dhe një prej figurave të njohura të drejtësisë ndërkombëtare. Ajo shërbeu si Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut nga viti 2008 deri në vitin 2014. Pillay ishte gjithashtu gjyqtare e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për Ruandën dhe e Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Në Afrikën e Jugut, ajo u bë gruaja e parë me ngjyrë që shërbeu si gjyqtare në Gjykatën e Lartë të vendit.

Karrierën e saj e nisi gjatë periudhës së aparteidit, kur mbrojti aktivistë kundër regjimit racist dhe punoi për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve politikë. Në vitin 2025, komisioni i pavarur i OKB-së i drejtuar prej saj publikoi një raport që akuzonte Izraelin për gjenocid ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës. Izraeli i ka kundërshtuar këto përfundime. Çmimi Nobel për Paqen për vitin 2026 do t’i dorëzohet Pillay në ceremoninë që zhvillohet në Oslo më 10 dhjetor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: