Grykëderdhja e Lumit Shkumbin në detin Adriatik është shndërruar në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane. Rreth 2 km vijë bregdetare në të dyja anët e saj janë kthyer në destinacionin përfundimtar të mbetjeve të shumë qyteteve duke shkatërruar gjithçka.
Sasia e grumbulluar në këtë vend është e madhe. Tonelata me mbetje të llojeve të ndryshme si mbetje spitalore, plastike, qelq e materiale të tjera evidentohen në breg të detit. Lumi Shkumbin në gjatësinë e tij prej 180 Km përshkuan bashkitë e Librazhdit, Elbasanit, Peqinit dhe Rrogozhinës të cilat e ndotin atë prej vitesh. Ndonëse në disa pika qëndrojnë të vendosur diga për ndalimin e mbetjeve të ndryshme ngritja e tyre nuk ka dhënë asnjë efekt në zgjidhjen e kësaj problematike.
Situata është alarmante dhe e pashpresë edhe për faktin se asnjë nga qytetet apo fshatrat që shkarkojnë në këtë lumë nuk kanë ndonjë projekt për pastrimin e ujërave të zeza, apo menaxhimin e mbeturinave urbane.
Në grykëderdhjen e Shkumbinit ka qenë i pranishëm dhe Jamarbër Malltezi i PD i cili tha se mbetjet urbane dhe spitalore të Elbasanit përfundojnë të gjitha në Shkumbin dhe më pas në det dhe për këtë fajtor sipas tij është Rama i cili paratë që duhet të shkojnë për këto procese tek spitalet dhe mbetjet urbane i ndan me oligarkët.
“Erdhëm me një grup ekspertësh dhe banorët për të parë se si menaxhohen mbetjet dhe zona bregdetare. Kemi masivisht mbetje urbane të cilat përfundojnë në zonat bregdetare. Kemi dhe mbetjet spitalore që janë mbetje spitalore. Qeveria i jep dhjetra miliona euro miqve të tij për t’i bërë pastrimin e mbetjeve urbane të Elbasanit të cilat i ke këtu, pasi hidhen në Shkumbin . Të gjitha spitalet i kanë ato klavat për bukuri por Rama do t’i hedhë paratë te oligarkët dhe me ata të cilët i ndan paratë dhe kështu ilaçet dhe shiringat përfundojnë në breg të detit.”- tha Malltezi.
(BalkanWeb)
