TIRANË- Deputeti socialist Pjerin Ndreu është kthyer në “mollë sherri” mes maxhorancës dhe opozitës në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit.
Ndërsa PD kërkoi përjashtimin e tij për 10 ditë nga seancat me pretendimin “për fyerje dhe kërcënime” ndaj deputetit Ervin Salianji, PS e hodhi poshtë pasi sipas tyre përplasja ndodhi në Komision dhe jo seancë plenare.
Ndaj Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi kërkoi ndryshimin e rregullores së Kuvendit që të përfshihen edhe fyerjet dhe kërcënimet në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Gazetarja Elda Menga duke iu referuar burimeve nga mbledhja raportoi për “BalkanWeb” se PD deklaroi se nuk është detyrë e Byrosë të vendosë për ndryshim të rregullores. Në mbledhjen e Byrosë ishte i pranishëm edhe vetë deputeti i PS-së Pjerin Ndreu, raporton “BalkanWeb”.
Ruçi: Kjo mbledhje nuk mund ta shqyrtojë këtë rast sepse byroja nuk jep ndëshkime kur njerëzit shahen e fyhen ne komision. Ka parashikime veç për seancat plenare.
Meqë jeni gjithë përfaqësuesit e partive ju kam mbledhur të propozoj ndryshime në rregullore ta përfshimë edhe fyerjet në komisione.
Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit Edi Paloka theksoi se maxhoranca mund të nxjerrë çdo argument, ku mbrojti ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Paloka: Na keni thirrur për ndryshim në rregullore? Nuk ju duket absurde që na thërrisni për këtë argument. Ju mbrojtët Saimir Tahirin s’më bën përshtypje që mbroni Pjerinin. Ndaj e keni sjell Pjerinin që bashkërisht të diskutojmë ndryshimin e rregullores. Veç faktit që nuk është byroja që ndryshon rregulloren dhe as se diskuton. Të kishit argument më të qenësishëm për Pjerinin se nuk e prisnim ta dënonit se ju mbrojtët Tahirin jo me Pjerinin.
(ed.me/BalkanWeb)
