Eksperti i çështjeve të drejtësisë Gerti Shella ka reaguar ndaj ndryshimeve të paralajmëruara në Kodi Penal i Shqipërisë nga kryeministri Edi Rama, pas debatit të krijuar nga çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

I ftuar në emisionin Studio24, Shella u shpreh kritik ndaj nismës për ndryshime ligjore, duke e cilësuar atë pa bazë morale dhe pa karakter formal.

Sipas tij, një ligj duhet të mbështetet në parimin e universalitetit dhe të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. Ai theksoi se kur mungon dimensioni moral i ligjit dhe njëkohësisht edhe zbatimi formal i tij, atëherë sistemi përballet me një problem serioz.

Shella ngriti shqetësimin për përdorimin e gjerë të masës së sigurisë “arrest me burg”, duke theksuar se situata në Shqipëri është bërë problematike prej vitesh.

Sipas tij, që prej vitit 2021 është dhënë alarmi për rritjen e numrit të të paraburgosurve, ndërsa shtoi se mbi gjysmën e personave që ndodhen në burgje janë në paraburgim dhe jo të dënuar përfundimisht.

“Kemi një situatë ku në burgjet e vendit ka më shumë persona që gëzojnë prezumimin e pafajësisë sesa persona që vuajnë një dënim të formës së prerë”, tha Shella.

Ai theksoi se prezumimi i pafajësisë është një nga parimet themelore të sistemit juridik në vendet perëndimore dhe paralajmëroi se tejkalimi i këtij parimi mund të sjellë pasoja të rënda për të drejtat e qytetarëve.

Në këtë kuadër, eksperti nënvizoi se situata kërkon zgjidhje të menjëhershme, duke theksuar se përdorimi i tepruar i paraburgimit ka dëmtuar rëndë sistemin dhe ka bërë që Shqipëria, sipas tij, të kritikohet në mënyrë të vazhdueshme në raportet europiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb