Nga Nëntori i vitit 2020 në Fakultetin e Ekonomisë, Universitetin e Tiranës ka filluar zbatimin projekti “Promoting Climate Change Adaptation and Disaster Risk Management in the frameëork of EU Integration”. Projekti zhvillohet në kuadër të fushës së veprimit Jean Monnet Module i programit Erasmus + i financuar nga Bashkimi Evropian. Në stafin e projektit janë të angazhuara, Perseta Grabova, Elona Pojani pedagoge të Fakultetit të Ekonomisë dhe Narin Panariti, Eksperte për politikat dhe përafrimin e legjislacionit për mjedisin dhe klimën.

Projekti ka si qëllim kryesor mbështetjen e mësimdhënies dhe ndërgjegjësimit në fushat e ndryshimeve klimatike dhe menaxhimit të riskut nga katastrofat. Gjatë zbatimit të këtij projekti në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës po zhvillohen dy kurse Jean Monnet, ku adresohen çështjet e lidhura me menaxhimin e katastrofave në kuadër të politikave Evropiane të integrimit. Kursi i parë titullohet “Menaxhimi i Riskut nga Katastrofat” dhe Kursi i dytë “Përshtatja ndaj Ndryshimeve Klimatike” në kuadër të integrimit Evropian të vendit.

Ky projekt është hartuar në kuadër të objektivave të programit Jean Monnet, për të financuar dhe mbështetur aktivitetet e lidhura me zhvillimin dhe promovimin e lëndëve të lidhura me fushën e integrimit evropian. Zhvillimi i suksesshëm i projektit është njëkohësisht një sfidë dhe një mundësi. Është një sfidë pasi njohuritë e zhvilluara në kuadër të projektit kanë nevojë për përditësim dhe përpunim të vazhdueshëm.

Është një mundësi sepse nëpërmjet zhvillimit të këtyre dy kurseve do të adresohen disa nga problemet më të rëndësishme globale të kohës, të cilat përfshijnë menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë, ndryshimet klimatike dhe rimëkëmbjen ekonomike, që janë disa nga shtyllat për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit.

Gjatë këtij 2 vjeçari të zbatimit të projektit rreth 60 studentë kanë përfituar njohuri ndërdisiplinore në dy lëndët ë zhvilluara. Përfitimet nga zbatimi i këtij projekti kanë qenë të shumëfishta. Së pari, specialistët e rinj që do të mbyllin studimet e larta master me fokus në menaxhimin e riskut plotësojnë një boshllëk në tregun e punës, i cili ka kohë që ekziston dhe tenton të zgjerohet si rezultat i avancimi të përpjekjeve për integrimin evropian dhe përfshirjes progresive të vendit në nisma rajonale e ndërkombëtare. Së dyti, trajnimi i studentëve në fushën e menaxhimit të riskut nga fatkeqësitë dhe ndryshimeve klimatike është ndër përpjekjet thelbësore për zhvillimin e edukimit për zhvillimin e qëndrueshëm. Së treti, njohuritë e reja të prodhuara në këtë fushë do të japin një përfitim për të gjithë vendin. Së katërti, njohja e brezit të ri të ekonomistëve dhe financierëve të ardhshëm me politikat e Bashkimit Evropian në këtë fushë është një vlerë e shtuar për procesin e Integrimit të Shqipërisë në BE.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb