Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca, kanë zbarkuar këtë paradite në Kryeministri, ku kanë zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama.

Takimi është zhvilluar në një kohë kur në Kuvend po mbahet seanca plenare, ku mazhoranca po prezanton raportin final të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Gjithashtu, takimi me ambasadorëve Kim e Soreca vjen në një kohë të tensionuar politike, teksa kryeministri Edi Rama dhe opozita parlamentare janë për ndryshime kushtetuese dhe hapje listash, gjë e cila kundërshtohet nga opozita jashtëparlamentare.

Kujtojmë se kreu i shtetit dhe opozita jashtëparlamentare kanë qenë të prerë kundër ndryshimeve kushtetuese të njëanshme.

Ndërkohë që diplomatët e huaj, përfshirë ambasadorët që janë sot pjesë e takimit me Ramën, kanë kërkuar nga palët t’i qëndrojnë marrëveshjes së 5 qershorit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb