Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka njoftuar ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal. Ai tha se me Kodin e Ri Penal, vështirësohet lirimi nga burgu për ata që janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Sipas draftit të ri, të dënuarit me burg përjetë do të mund të kërkojnë lirim vetëm pas 35 vitesh, dhe vetëm nëse ka pasur një përmirësim të marrëdhënieve me familjarët e viktimës. Sipas tij, drafti është hartuar nga ekspertë të pavarur dhe tashmë do të kalojë në fazën e konsultimit publik, me qëllim afrim më të madh me praktikat e vendeve të Bashkimit Europian.

Gjithashtu, Manja theksoi se do të rregullohet dhe çështja e zvarritjes së gjyqeve, që ndodhte përmes skemës “një ditë paraburgim e barabartë me 1.5 ditë burg”.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja: Drafti i ri ka parashikuar një gjykim të veçantë për lirim të personave të dënuar me burg përjetë dhe thuhet se cilat janë rrethanat e caktuara. Ky Kod e ka vështirësuar lirimin e personave të dënuar me burg përjetë. Kush përfiton, duhet të ketë kaluar 35 vite në burg së paku. Nëse nuk ka kërkesë nga familjarët e viktimës se ka rregulluar marrëdhëniet, nuk ka lirim të të burgosurit me burgim të përjetshëm. Drafti është bërë nga ekspertë të pavarur. Tani i takon konsultimit publik, që drafti të afrohet me vendet e Bashkimit Europian.

Edhe një pike tjetër. 1 ditë paraburgim e barabartë me 1.5 ditë burg e ka pasur vetëm Shqipëria dhe zvarriteshin gjyqet, për të përfituar nga kjo gjë. Drejtësia duhet të jetë e drejtë dhe verdikti të jepet në kohë. Për shpifjen, nëse do jetë vepër penale apo jo, do ketë konsulta. Gjyqësori ka organizimin e vet, ka KLP. Politika tashmë ka distancë nga drejtësia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: