TIRANE– Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, thotë se po përgatitet “një paketë ndryshimesh në Kodin Penal dhe në atë të Procedurës Penale”. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ministri Manjani thotë se duhet të realizohet “një produkt i mirë që garanton drejtësi efektive, por edhe të barabartë për cilindo”.

“Duhet ta pranojmë se aktualisht kemi rregulla që na kanë mbetur që nga koha e shkuar (nga ajo e shkuara fare)! Sistemi i sotëm i drejtësisë penale prodhon më shumë arrestime, sesa hetime. Nxitimi për të njoftuar në televizor arrestime vazhdon të jetë i dëmshëm, sepse nuk nxit (në mos pengon) faktimin me prova të ngjarjeve kriminale. Arrestimi mbi dyshim (pa prova) është efektivisht dënim edhe nëse në gjykim provohet pafajësia! Kjo është sindroma e “drejtësisë popullore” që vjen nga e shkuara”, tha Manjani.

Për këtë dhe për të tjera, vijoi ai, kemi përgatitur një paketë ndryshimesh në Kodin Penal dhe në atë të Procedurës Penale, të cilat i kemi shpallur publikisht për një konsultë me cilindo që do të kontribuojë.

“Projektet gjenden në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. E hartuam këtë paketë në bashkëpunim me Prokurorë, Punonjës të Policisë, Avokatë e penalistë. Kemi marrë konsideratë sugjerime nga Avokati i Popullit, nga Shoqata joqeveritare, por edhe konstatimet e raport-progreseve të përvitshme”, shkruan në “Facebook” ministri Manjani.

“Shpresojmë që këtë radhë të nxjerrim një produkt të mirë që garanton drejtësi efektive, por edhe të barabartë për cilindo. Drejtësisë penale që të garantojë ndëshkimin e fajtorëve me prova dhe jo vetëm me televizor! Rendi Publik garantohet vetëm me politikë penale efektive, të drejtë dhe profesionale”, shton ministri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb