Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, shprehet se qytetarët mezi presin të votojnë në 14 maj dhe momentin që do të kenë zë për të vendosur.

E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ajo tha se qytetarët e shohin problematikën në ekonominë e tyre, dhe se kjo do t’i bëjë edhe më tepër t’i drejtohen kutive të votimit.

“Mungesa e llogaridhënies është pjesë e qasjes së kësaj qeverie, por do duhet të mësohet që në një shtet demokratik qytetarët kërkojnë llogari për çdo taksë. Ne si forcë politike, jemi të angazhuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për interesin e vendit. Problemin me zgjedhjet e ka qeveria që përdor çdo aset për të deformuar votën e qytetarëve siç përmendet edhe në raportin e DASH”, u shpreh ajo.

Sa i përket raportit të DASH, ajo u shpreh se duhet të shërbejë si një udhërrëfyes për të rregulluar ato që evidentohen në këtë raport.

“Ky raport duhet të jetë një udhërrëfyes se çfarë të rregullojmë. Pra ne kemi problem me mediat e lira, janë në presion dhe goditen në mënyrë direkte tek bizneset që ato kanë. Kemi parë si largohen qytetarët për t’u marrë pronat. Mos flasim për problematikat e shtetit të së drejtës që evidentohen në këtë raport. Ndryshimi do vij me votë dhe kjo qeveri duhet të largohet. Shansi është me 14 maj”, u shpreh Xhixho.

Sa i përket kërkesës së Alibeajt për çregjistrimin e koalicionit, ajo u shpreh: Nuk kam asnjë reagim…  jemi të fokusuar në një koalicion që ka bashkuar jo vetëm forca politike por shpresën e shqiptarëve.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb