Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i ftuar në studion e emisionit “Studio24” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me çështjen Balluku.
Noka u shpreh se opozita disponon informacione lidhur me vizitën e sotme të kryeministrit Edi Rama në Bruksel, e cila, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me paralajmërimet për ndryshime ligjore dhe me shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë.
“Kjo është vijë e kuqe, kemi informacion,” deklaroi Noka, duke theksuar se sinjalet nga partnerët europianë janë të qarta dhe të forta.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të PD-së, opozita ka mësuar përmes burimeve të saj se kryeministrit Rama i është bërë e ditur se çdo përpjekje për të mbrojtur korrupsionin do të ketë pasoja të rënda për vendin.
“Dje, nga burimet tona, kemi marrë informacion se Ramës i është thënë qartë që kjo është vijë e kuqe. Shqipëria do të futet në sanksione të forta nëse mbroni korrupsionin,” u shpreh Noka.
Ai shtoi se janë ngritur edhe problematika më të thella, si ndikimi i karteleve dhe intimidimi i sistemit të drejtësisë, të cilat sipas tij përbëjnë shqetësime madhore për partnerët ndërkombëtarë.
“Madje i është folur edhe për kartelet dhe intimidimin e drejtësisë. Këto janë shqetësimet e mëdha të partnerëve. Ndaj është thirrur në Bruksel Rama,” theksoi Noka.
