Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, foli për situatën politike në vend dhe proceset e fundit ndaj zyrtarëve të lartë, të cilat ai i cilësoi si sinjale të forta se ndryshimi në Shqipëri ka nisur.
Shehaj u shpreh se rrëzimi i qeverisë nuk vjen me një deklaratë të vetme, por përmes një procesi të gjatë dhe të qëndrueshëm.
“Nuk rrëzohet Edi Rama me një fjalim. Ndryshimi mund të jetë shumë i shpejtë, por kërkon punë, hap pas hapi. Ky është një moment i mirë sepse po shohim një dritë në fund të tunelit.”
Sipas tij, fakti që politikanë të lartë po dalin para drejtësisë tregon se situata po lëviz drejt një standardi të ri.
“Ka një shpresë sepse më në fund politikanët e korruptuar po dalin para drejtësisë. Dikur dukeshin të pamposhtshëm. Në Shqipëri do ndodhë ajo që ka ndodhur në vendet e lindjes.”
Shehaj solli si shembull rastin e Kroacisë, ku ish-kryeministri u përball me drejtësinë pavarësisht rolit të tij në anëtarësimin e vendit në BE.
“Në Kroaci, ish-kryeministri që për 15 vite e çoi vendin në BE doli nga burgu me një qese rrobash në dorë”, tha Shehaj.
Ai theksoi se Partia Mundësia ka zgjedhur të fokusohet te lufta kundër korrupsionit dhe jo te konfliktet e brendshme të opozitës.
