Bashkimi Liberal Demokrat i Arjan Starovë dhe nisma “Reforma Reale” e avokatit Gylsen Zhllima kanë dorëzuar në Forumin e Dialogut Politik një paketë propozimesh për ndryshime në Kodin Zgjedhor, ku synohen reforma në administrimin e zgjedhjeve, sistemin e ndarjes së mandateve dhe organizimin territorial të vendit.
Në draftin e propozuar parashikohet që anëtarët e komisioneve zgjedhore, përfshirë Qendrat e Votimit, Grupet e Numërimit të Votave dhe Zonat e Administrimit Zgjedhor, të mos emërohen më nga partitë politike. Sipas propozimit, përzgjedhja e tyre do të bëhet kryesisht nga Dhoma e Avokatisë, Dhoma e Noterisë dhe profesione të tjera të licencuara me ligj.
Paketa parashikon gjithashtu kufizimin e numrit të votuesve për çdo qendër votimi, duke vendosur një minimum prej 300 dhe maksimum prej 700 zgjedhësish për QV. Ndërkohë, propozohet që qendrat e votimit të përqendrohen në godina të mëdha publike dhe numërimi i votave të kryhet në të njëjtin ambient ku zhvillohet procesi i votimit.
Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me sistemin e ndarjes së mandateve. Propozimi sugjeron përdorimin e formulës Sainte-Laguë, e njohur si një metodë më proporcionale për shpërndarjen e mandateve mes forcave politike.
Në planin administrativ-territorial, drafti propozon shtimin e numrit të bashkive nga 61 në 101, ndërsa qarqet të reduktohen nga 12 në 7.
Ndryshime janë propozuar edhe për zgjedhjet vendore. Sipas draftit, kandidati për kryetar bashkie apo organet vendore duhet të marrë mbi 50% plus një të votave për t’u shpallur fitues. Nëse asnjë kandidat nuk arrin këtë prag në raundin e parë, atëherë do të zhvillohet balotazh mes dy kandidatëve më të votuar.
Propozimet tashmë i janë paraqitur Forumit të Dialogut Politik, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të gjejnë mbështetjen e partive politike për t’u përfshirë në reformën e ardhshme zgjedhore.
