Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, ka thënë të shtunën se do të kërkojë nga Rusia “njëfarë lloj mbështetjeje për sigurinë”, pasi zhvilloi, siç tregoi, katër takime me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin në Rusi gjatë dy ditëve të fundit në Moskë.

Dodik tha se u sigurua nga Putini se do të “mbeten në kontakt për të gjitha çështjet e marrëveshjeve të përbashkëta”, dhe se “për gjithçka që folën rreth aktiviteteve të përbashkëta, Putin tha: ‘do ta bëjmë’”.

“Ajo që duam të ofrojmë dhe kërkojmë nga Rusia në periudhën e ardhshme është një sërë çështjesh që mund të përshkruhen si një lloj mbështetjeje sigurie, për të mos përmendur garancitë nga Rusia për pozicionin tonë politik dhe territorial, dhe këtë e nxjerrim kryesisht nga fakti se Rusia është garantuese e Marrëveshjes së Dejtonit”, tha Dodik në Moskë për mediat nga entiteti serb i Bosnjës, Republika Sërpska.

Në një intervistë me Radio Televizionin e Republikës Sërpska (RTRS), agjencinë Srna dhe Televizionin Alternativ (ATV), ai theksoi se Rusia “padyshim që mbështet qëndrimin e asaj marrëveshjeje, por jo të tjerët, siç është Franca, e cila po bën gjithçka për ta degraduar atë”.

Dodik ishte takuar me Putinin edhe më 1 prill, kur kishte udhëtuar në Moskë dhe ishte kthyer në Republikën Sërpska duke shmangur arrestimin, megjithëse Gjykata e Bosnje e Hercegovinës ka lëshuar fletarrestim kombëtar për të, duke e akuzuar për shkelje të rendit kushtetues të Bosnjës.

Dodik deri më tani i është shmangur arrestimit brenda Bosnjës, pavarësisht se vendi ka 16 agjenci policore që kanë pushtetin për ta arrestuar atë.

Liderët e Republikës Sërpska, në veçanti presidenti Dodik, kritikohen nga qeveri perëndimore se po bëjnë përpjekje për ta ndarë nga Bosnja entitetin serb.

(BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb