Këngëtarja Liljana Kondakçi njihet edhe për interpretimet e shumë kolonave zanore në filmat shqiptarë, por edhe për dy prej tyre ku ka qenë edhe aktore. “Në pyet me borë ka jetë” rolin e mësueses dhe në “Udhëtim në Pranverë”, ku luante rolin kryesor të një këngëtareje të quajtur Valbona.

Teksa u pyet nëse e ka patur të vështirë të interpretonte si aktore, ajo tha, “Kisha shumë kohë që dilja skenë, e cila në vetvete të imponon të jesh aktore. Duhet patjetër që edhe në këngë të japësh interpretim, ndaj nuk e kisha aq të vështirë”, teksa shtoi se pavarësisht kësaj edhe ajo vetë u surprizua se si interpretimi i saj doli aq mirë.

Liljana tregoi në “Dola te Ola” se bashkëshorti i saj i ndjerë ka qenë një mbështetje e madhe për të. “Në ato kohëra ishte e vështirë të ishe artiste”. Ajo u martua në moshën 18-vjeçare dhe fati i saj, sikurse ajo tha, ishte që mori një njeri artist.

Një kujtim shumë i bukur për Liljanën është edhe kënga e Festivalit të 11, “Mozaik tingujsh, mozaik ngjyrash”. Ajo zbuloi në program se vargjet e kësaj kënge janë shkruar nga Natasha Lako për vajzën e Liljanës, e cila në atë kohë ishte vetëm 6-muajshe.

Këngëtarja tregoi se 4 vite pas vajzës u bekua edhe me një djalë, të cilin vendosën ta quajnë Valbion, meqenëse ajo kishte emrin Valbona në filmin “Udhëtim në Pranverë”.
Liljana tha se fëmijët e saj janë pjesë e artit, vajza për muzikë soprano, ndërkohë djali, pikturë. Sot, Liljana jeton me djalin, pasi bashkëshorti i saj është ndarë nga jeta 9 vite më parë.

“Të dua” ishte kënga që këngëtarja Liljana Kondakçi interpretoi në fund të programit “Dola te Ola” për këtë të diel, duke na e bërë edhe të ëmbël fundjavën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb