Almer Toska, drejtues i Timoni.al, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” me Ola Brukon në News24, ka komentuar konferencën e përbashkët të kryeministrit Edi Rama me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke ngritur një sërë pyetjesh mbi qëndrimin e Bashkimit Europian ndaj zhvillimeve të fundit në Shqipëri.

Toska u shpreh se gjatë viteve në krye të qeverisë, Rama u është shmangur pyetjeve të drejtpërdrejta për çështjet e brendshme, duke argumentuar se ato nuk ndikojnë në procesin e integrimit europian. Sipas tij, kryeministri ka kritikuar edhe opozitën kur ajo ka ngritur problematikat e vendit përpara ndërkombëtarëve.

“Në kaq vite që është kryeministër, Rama u është shmangur pyetjeve të drejtpërdrejta. I ka quajtur debat të brendshëm që nuk do të ndikojë në integrimin e vendit. Në këtë pikë ka anatemuar edhe opozitën dhe u ka thënë se nuk mund të sulmosh vendin tënd në sy të miqve”, tha Toska.

Ai u ndal më tej te qëndrimi i institucioneve europiane ndaj protestave dhe zhvillimeve të fundit politike në vend, duke theksuar se, sipas tij, megjithëse eurodeputetë kanë marrë pjesë në protesta, ende nuk është parë një qëndrim i drejtpërdrejtë nga presidentja e Komisionit Europian.

“Opozita duhet të kuptojë sot qëndrimin e BE-së përballë protestave. Eurodeputetë kanë qenë pjesë e protestës, por nuk kemi parë qëndrimin zyrtar të Von der Leyen. Duhet të shohim çfarë do të thotë për sigurinë kombëtare dhe dyshen Agasi-Hyseni, protestat dhe korrupsionin”, deklaroi ai.

Toska tha se një prej pyetjeve që do t’i drejtonte Von der Leyen lidhet me situatën e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe pretendimet e ngritura ndaj saj.

“Von der Leyen do ta pyesja nëse BE-ja, që është ajka dhe tavolina e madhe që mbledh shtete me demokraci funksionale, a e pranon Shqipërinë me në kabinet Ballukun, të arrestuar për korrupsion, dhe Rama nuk e lëshon. Ramën do ta pyesja: a mbahet peng nga Balluku?”, u shpreh Toska.

Më tej, ai ngriti edhe pretendime për përfshirjen e Ballukut në trafik armësh, duke iu referuar një bisede telefonike që, sipas tij, ajo ka zhvilluar me Ron Yeffet.

“Balluku e akuzuar për trafik armësh. Flas për telefonatën e Ballukut dhe Ron Yeffet”, deklaroi Toska.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb