Ish-drejtuesi i policisë, Shemsi Prençi, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka bërë akuza të forta lidhur me funksionimin e lojërave të fatit në Shqipëri dhe mungesën e përfitimeve për shtetin.

Sipas Prençit, sistemi i tatimeve në vend nuk përfiton asnjë të ardhur nga aktiviteti i lojërave të fatit, pavarësisht faktit se këto aktivitete vazhdojnë ende në mënyrë aktive. Ai theksoi se situata është e njohur dhe e toleruar në disa qytete të Shqipërisë.

“Në disa qytete të vendit ka kazino që kontrollohen nga grupe kriminale dhe ruhen nga drejtorë dhe zv/drejtorë të policisë, pasi këta të fundit marrin rrogat,” deklaroi Prençi, duke nënvizuar lidhjet e drejtpërdrejta mes krimit të organizuar dhe strukturave të rendit.

Ish-drejtuesi i policisë e cilësoi situatën edhe më alarmante kur, sipas tij, qeveria dhe instrumentet shtetërore bëhen pjesë e këtij mekanizmi ose i shërbejnë interesave të grupeve kriminale. “Situata më e rëndë është kur qeveria dhe instrumentet e saj bëhen pjesë ose i shërbejnë grupeve kriminale,” u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb