Herald Marku po fiton gjithnjë e më shumë hapësira te Vllaznia. Mesfushori 30-vjeçar, pas ardhjes së trajnerit Csaba Lazslo, duket se ka gjetur një tjetër rol në skuadër, duke u shndërruar gradualisht në një prej lojtarëve që po fitojnë hierarki te kuqeblutë.

Performanca e fundit ndaj Elbasanit është një dëshmi e qartë e këtij ndryshimi. Përveç lojës së mirë në mesfushë, Marku ishte protagonist edhe në aksionin e golit të vetëm të takimit, duke dhuruar asistin vendimtar për Uldedajn, që më pas i dha Vllaznisë tri pikët. Ky është një ndryshim i dukshëm për mesfushorin, i cili gjatë periudhës së drejtuar nga Martini preferohej pak ose aspak.

Marku e kishte të vështirë të gjente vazhdimësi në formacion, ndërsa tani situata duket krejtësisht tjetër, me trajnerin hungarez që po i beson më shumë aftësive të tij. Lazslo duket se e vlerëson atë që Marku mund t’i japë skuadrës në mesfushë. Ish-futbollisti i Flamurtarit nuk e ka zhgënjyer këtë besim, duke reaguar me paraqitje pozitive dhe një formë që po vjen në rritje nga ndeshja në ndeshje.

Në këtë mënyrë, për Markun mund të flitet për një lloj “metamorfoze” pozitive. Nga një futbollist me pak hapësira në pjesën e parë të sezonit, ai tashmë është kthyer në një alternativë të rëndësishme për trajnerin, duke konkurruar seriozisht për një vend në formacion.

Nëse vazhdon në të njëjtën mënyrë edhe në javët e ardhshme, 30-vjeçari mund të bëjë hapin e radhës në hierarkinë e kuqebluve. Forma, vazhdimësia dhe besimi i Lazslos mund ta shndërrojnë Markun jo vetëm në një alternativë të vlefshme, por edhe në një titullar të padiskutueshëm te Vllaznia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb