Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun Elbasan, Tomor Alizoti, ka mbajtur një fjalim të zjarrtë gjatë takimit elektoral në Librazhd, ku iu drejtua me tone të ashpra mazhorancës dhe paralajmëroi që të mos guxojnë të kërcënojnë qytetarët për vota.
Në fjalën e tij ku u prezantuan kandidatët për zgjedhjet e 11 majit, Alizoti akuzoi mazhorancën për presione dhe përpjekje për intimidim ndaj votuesve:
“Një mesazh për ju që jeni në cepa dhe u shkoni njerëzve natën nëpër shtëpi për vota. Mos harroni se ne kemi mundur baballarët tuaj, që kishin tanke, polici dhe ushtri. Juve do t’ju hamë të gjallë! Mos guxoni t’i prekni demokratët sepse liria e njerëzve është e shenjtë”, tha ai.
Pjesë nga fjala e Alizotit:
Unë kam shumë qejf të flas, por kur është doktori, flas shumë shkurt. Më vjen mirë që Librazhdi dhe Prrenjasi është në shesh dhe ka vrarë frikën. Çdo e vërtetë ka nevojë për guximtarë dhe PD është partia e guximtarëve.
Një mesazh për ju që jeni cepave dhe u shkoni njerëzve nëpër shtëpia për t’u marrë votat. Mos harroni që ne kemi mundur baballarët tuaj, që kishin tanke, polici dhe ushtri! Juve do t’ju hamë të gjallë! Mos guxoni t’ju shkoni njerëzve natën në shtëpi, mos guxoni t’i prekni dhe kërcënoni, sepse liria e njerëzve është e shenjtë. Ftoje kryetarin e PD që të marrë fjalën.
Nëse prekni demokratët, nëse vini mina, do ju ndjekim, s’do t’ju ndahemi kudo që të jeni. Do t’ju hamë të gjallë! Ju që doni të shkatërroni Shqipërinë, ju analfabetë, ju maskarenj! Doktor jepi sepse ty të kanë më shumë frikë!”, tha Alizoti.
(BalkanWeb)
