Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Shtetit, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare për veprimtari të kundërligjshme në fushën e narkotikëve dhe për kalim të paligjshëm të kufirit. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi F. Sh., 36 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Krujë.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Operacionalja”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Vihet në pranga një shtetas i kërkuar nga Kosova për veprimtari të kundërligjshme në fushën e narkotikëve dhe për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua faza e 87-të e operacionit policor të koduar “Operacionalja”.
Në kuadër të këtij operacioni, në Fushë Krujë, nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, u kap dhe u arrestua, me qëllim ekstradimin drejt Kosovës, shtetasi F. Sh., 36 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Krujë.
Gjykata e Gjakovës/Kosovë, me vendimin e datës 14.03.2023, e ka dënuar këtë shtetas me 2 vjet burgim dhe 550 euro gjobë, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit, 4 muaj e 10 ditë burgim, për veprat penale “Posedimi i paautorizuar, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, lëndëve psikotrope dhe substancave analoge” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”.
