Pritet sot ekstradimi nga Dubai i Amar Shkëmbi alias Dritan Shkëmbi, i cili dyshohet si pjesëmarrës në atentatin te mbikalimi i Shkozetit ndaj ish- prokurorit Arjan Ndoja.

Amar Shkëmbi akuzohet si anëtar i grupit të Plarent Dervishajt.

Kujtojmë se në atentatin e 2019-ës u plagos Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho i njohur edhe si Rrumi. Ndërkohë humbi jetën Andi Maloku, shoferi i ish-prokurorit të Durrësit.

Njoftimi i Policisë:

“Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, ditën e sotme, pritet të ekstradohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, shtetasi A. Sh. alias D. Sh..

Gjykara e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Vjedhja”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin e policisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb