Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij për Krishtlindje theksoi unitetin kombëtar në kohë lufte.
Sipas Zelenskyt, Ukraina kërkon paqe ndërsa Rusia vijon të kërkojë luftë.
“Prej kohësh të lashta, ukrainasit kanë besuar se natën e Krishtlindjes qielli hapet. Dhe nëse u tregoni dëshirën tuaj, ajo patjetër do të realizohet. Sot, ne të gjithë kemi një ëndërr të përbashkët. Dhe shprehim një dëshirë të përbashkët për të gjithë,” u shpreh Zelensky.
Ai theksoi se ne kërkojmë paqe për Ukrainën ndërsa rusët sipas tij, vijojnë sulmet edhe në festën e Krishtlindjes.
“Por kur i drejtohemi Zotit, natyrisht, lutjet tona janë më të gjera. Ne kërkojmë paqe për Ukrainën. Ne luftojmë për të. Dhe lutemi për të. Në prag të Krishtlindjes, rusët treguan përsëri se kush janë në të vërtetë.
Sulm masiv, qindra ‘Shahed’, raketa balistike, Kinzhal – gjithçka u përdor. Kështu godasin ata pa Zot”, tha Zelensky.
Ai theksoi se kjo është Krishtlindja e katërt nën luftën në shkallë të plotë, por uniteti ukrainas mbetet i pathyeshëm.
“Do të vijë dita kur të gjithë do të mblidhen në shtëpi në Krishtlindjen e parë paqësore dhe do t’i thonë njëri-tjetrit: ‘Krishti lindi! Lavdi Atij!’, tha më tej Zelensky.
