Në fjalën e mbajtur gjatë mitingut përmbyllës në Durrës, kreu i PS, Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve durrsakë të votojnë më 11 maj për të ardhmen e Shqipërisë në BE.
Rama tha se e ka të pamundur të imagjinojë se ata që nuk e duan PS, do të zgjedhin të votojnë një parti si PD, që sipas kreut të PS, sot është në koma.
Rama komentoi edhe projeksionet e artikuluara sot në të ashtuquajturin “Memorandum i Kuçit”, ku mandatin e 9-të në Durrës e vendosi me probabilitetin 50%.
“Arsyeja pse unë e vura aq, nuk ka të bëjë aspak me të gjithë ju.
Përkundrazi, ju jam jashtëzakonisht mirënjohës që keni ardhur dhe po qëndroni këtu. Por kjo ka të bëjë me sa shumë durrsakët, që nuk para janë njerëz që lëvizin kollaj për ditë të diele për të bërë punë të tjera përveç qejfit të tyre, do të shkojnë në kutinë e votimit”, u shpreh Rama.
Kreu i PS, e cilësoi po ashtu këtë takim, si më të madhin që ka parë në Durrës për nga pjesëmarrja
“Nëse do të ketë masivitet si ky sot këtu dhe nëse të gjithë ju që jeni këtu në takimin më të madh që kam parë në Durrës, jeni pararoja e atyre që do të shkojnë në çdo qendër votimi, pa asnjë diskutim qarku i Durrësit do të thyejë përsëri rekordin e vet duke marrë 9 mandate për PS”.
Edi Rama: Sot ne themi Tirana është kryeqyteti i Evropës së Ballkanit, por në kohëra të tjera ka qenë Durrësi Evropa e Shqipërisë.
Dhe është e pamundur për mua ta imagjinoj që qytetarët e Durrësit, ata që s’ja shohin dot ngjyrën PS, ata që flamuri i PS i bën të acarohen si demi kur sheh leckën e kuqe, duhet të shohin një ngjyrë tjetër, që na bashkon sot, që ka bashkuar flamurin kuq e zi me flamurin evropian, të shohin ngjyrën e detit që na lidh me Evropën që qëllon të jetë ngjyra e partisë së tyre.
Ajo është në koma nuk jep nuk merr. E për më tepër të mendosh që qytetarët durrsakë të mbeten peng pas një bufi kënete është trishtim.
(BalkanWeb)
