Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, e ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit mes politikës dhe drejtësisë, duke deklaruar se situata ka arritur në një pikë ku, sipas saj, përgjegjësia politike shkon deri te kryeministri.

Kuçana u shpreh se “loja e Edi Ramës është në oborrin e tij me njerëzit e besuar”, duke shtuar se personat që, sipas saj, kanë ndarë tendera dhe para publike, kanë vepruar në shërbim të rrethit të kryeministrit.

Duke iu referuar ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, ajo deklaroi se, sipas saj, përpara se SPAK të marrë masa, kryeministri gjen pretekst që bashkëpunëtorët e tij të dorëhiqen. “Hallet më të mëdha të Edi Ramës janë Belinda Balluku dhe AKSHI”, tha Kuçana.

Ajo pretendoi gjithashtu se ka pasur një kontroll në Kryeministri dhe sfidoi publikisht kryeministrin dhe zyrtarët e institucionit që të sqarojnë nëse janë sekuestruar dokumente me rëndësi të veçantë. “Sfidoj publikisht Edi Ramën dhe zyrtarët në Kryeministri të mohojnë ose jo nëse janë sekuestruar dokumente të rëndësishme”, u shpreh ajo.

Sipas Kuçanës, kryeministri nuk po mbron vetëm Belinda Ballukun, por, siç tha ajo, po përpiqet të mbrojë veten dhe bashkëshorten e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb