Policia e Shkodrës ka dhënë informacion zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë raportuar më herët në Malësinë e Madhe. Policia konfirmon se mjeti në të cilin udhëtonte një 50-vjeçar me djalin dhe vajzën e tij, i ka marrë rrjedha e ujit.

Vajza ka shpëtuar mrekullisht duke mundur të dalë nga makina, e ndihmuar dhe nga një banor i zonës, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e babë e bir.

Malësi e Madhe, Shkodër/Informacion paraprak

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësisë e Madhe kanë marrë informacion se në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe, rrjedha e ujit të përroit kishte marrë përpara një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, banorë të zonës,  (babai, djali dhe vajza).

Në momentin që rrjedha e ujit ka marrë përpara automjetin që drejtohej nga shtetasi P. R., rreth 50 vjeç, vajza ka mundur të dalë dhe është ndihmuar nga një banor i zonës. Vajza ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa babanë e vajzës dhe vëllanë e saj i ka marrë rrjedhja e ujit.

Në vendngjarje ndodhen polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, të cilët po punojnë për gjetjen e dy shtetasve (babë e bir).

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb